Aktivitet trajnues me temë: “Prezumimi i pafajësisë. Kuptimi, jo vetëm i ngushtë, por edhe i gjerë i këtij parimi"

Shkolla e Magjistraturës, organizoi në datë 29 mars 2024, aktivitetin trajnues në lidhje me respektimin e parimin e prezumimit të pafajësisë, me temë Prezumimi i pafajësisë. Kuptimi, jo vetëm i ngushtë, por edhe i gjerë i këtij parimi. Doktrinë vendase dhe e huaj. Referime në vendime të GJEDNJ-së”.

Ekspertë: Sokol Binaj, Amarildo Laçi

Lehtësues: Klejda Meçi

Qëllimi i këtij trajnimi ishte të diskutohej dhe analizohej parimi i prezumimit të pafajësisë, nëpërmjet doktrinës vendase dhe të huaj, si dhe të konkretizohej me vendime dhe kazuse të ndryshme.

Gjatë këtij aktiviteti u trajtuan tema të ndryshme, si:

  • Kuptimi i prezumimit të pafajësisë.
  • Baza normative e parimit të prezumimit të pafajësisë. Instrumente kombëtarë dhe ndërkombëtarë që rregullojnë këtë parim.
  • Respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë në të gjitha fazat e procesit penal.
  • Roli i prokurorisë dhe gjykatës në zbatimin e këtij parimi. Përvoja e gjykatave kombëtare dhe ndërkombëtare në garantimin e këtij parimi.
  • Shmangia e paragjykimit të fajësisë së të pandehurve nga ana e magjistratëve dhe masat që duhen marrë për të minimizuar këtë veprimtari.
  • Respektimi i prezumimit të pafajësisë në raport me lirinë e shprehjes.
  • Barra e provës dhe rastet e transferimit të saj. Qëndrimi i GJEDNJ-së.
  • E drejta e heshtjes dhe rastet kur mungesa e kontributit të të pandehurit mund të përdoret kundër tij, veçanërisht në rastet e kundërshtimit të alibisë së tij.
  • Garantimi i mosinkriminimi të të pandehurit dhe i të afërmve të tij dhe rastet kur vetë ligji lejon derogim nga rregulli.
  • E drejta për të mos prodhuar prova në favor të akuzës.
  • Mungesa e arsyetimit të vendimit përfundimtar në drejtim të fajësisë së të pandehurit përtej ndalimit in dubio pro reo si rast i cënimit të prezumimit të pafajësisë.
  • Cënimi i parimit të prezumimit të pafajësisë kur të dyshuarit nuk i garantohet prania e mbrojtësit që në fazat e para të arrestimit/ndalimit të tij.
  • Rasti i përgjegjësisë penale në veprat penale ku akuzës i mjafton të provojë anën objektive të veprës penale, ndërkohë që mens rea (qëllimi, dijenia e synimi) prezumohet në rrethana faktike objektive, duke i kaluar barra e provës të pandehurit për të provuar të kundërtën (rasti i nenit 287, paragrafi i fundit, i Kodit Penal).
  • Zbatimi i parimit të prezumimit të pafajësisë në praktikën e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese
  • Raste të cënimit te parimi i prezumimit të pafajësisë në jurisprudencën e GJEDNJ-së.

Në këtë trajnim morën pjesë gjyqtarë, prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore dhe kandidatë për magjistratë.